Menu

Vucic thotë të pathënën për Kosovën

"Frankfurter Allgemeine Zeitung": Vucic thyen një tabu.

FAZ

Në një artikull të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” analizohet eseja e presidentit serb, Aleksander Vuçiç për Kosovën, ku ai kritikon heronjtë serbë që nga kafenetë mbrojnë Kosovën. Vuçiç thyen një tabu.

Një ese e Vuçiçit e hedhur në kulmin e verës nga gazeta beogradase “Blic” ka bërë të debatojë jo vetëm Serbia, por të drejtohet edhe vëmendja e mediave gjermane ndaj konfliktit Kosovë-Serbi. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan të premten (04.08), se Vuçiç shkel hijen e rëndë të historisë serbe, dhe ajo që shkruan ai është si të thotë Erdogani, se pranon që ka pasur gjenocid osman ndaj armenëve.

Kosova e humbur për Serbinë

“Ai i kërkon bashkëkombasve të tij, që Kosova, e cila e shpalli pavarësinë me ndihmën amerikane dhe perëndimore është e humbur për Serbinë, pa futur këtu veriun me shumicë serbe. Ky qëndrim është i përhapur mes shumë serbëve…por liderë serbë nuk kanë guxuar deri më tani të përmendin me emër gjërat, nga frika e pakicës intelektuale nacionalistë, peshkopëve ortodoksë dhe demagogëve të tjerë.”

“FAZ” vëren se, nëse ka një politikan, i cili mund të kapërcejë këtë frikë është pikërisht Vuçiçi. “‘Ka ardhur koha që ne si popull të mos e fshehim më kokën në rërë dhe të përpiqemi të jemi realistë”, shkruan Vuçiçi në esenë e tij duke kërkuar nga bashkëkombasit e tij ‘të mos presim që të na bjerë në prehër, ajo që kemi kohë që e kemi humbur.’”

Kritikat e Vuçiçit

Presidenti serb nuk ka kursyer me kritika në esenë e tij të botuar nga gazeta serbe “Blic” edhe pseudointelektualët e gazetarët bulevardeskë, shkruan FAZ. “Ata që e shohin Ballkanin nga gota e Slivovitcit dhe e mbrojnë Kosovën me fjalë të mëdha nga tavolinat e kafeneve. Këta janë njerëz, sipas Vuçiçit që nuk e dinë, ‘as ku bie Kosova, nuk kanë qenë atje dhe as nuk kanë për të jetuar në atë vend….por që me dëshirë do të çonin atje të tjerë për të mësuar historinë e përgjakshme të vendit të tyre.”

FAZ vazhdon më tej duke theksuar se “Vuçiç ia doli me këtë të arrijë ‘dialogun e brendshëm’ për Kosovën, në të cilën të thyhen tabutë e vjetra, sidomos mes intelektualëve dhe akademikëve. Megjithatë i “njëjti Vuçiç para pak ditësh ka theksuar, se do të bëjë gjithçka për të penguar pranimin e Kosovës në UNESCO. Për momentin provokimet e Vuçiçit ndaj shpirtit serb janë vetëm fjalë, por fjalë që deri më tani nuk janë dëgjuar kështu në Beograd”, përfundon “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

40.000 vetë nga Ballkani gjejnë punë në Gjermani

Ndërsa të premten (04.08) po gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” në artikullin me titull “Jashtë Tirane me Agjencinë Federale”, theksohet se konsultuesit gjermanë në Kosovë, Shqipëri e Serbi kanë ndihmuar për gjetjen e punës ndërkohë 40.000 vetë – një formë e re për të mos ardhur nga Ballkani si refugjatë.

“Vendimtare ishte që dy agjenci shtetërore, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ dhe Agjencia Federale e Punës, BA filluan bashkëpunimin për të treguar rrugë legale për ardhjen e njerëzve nga Kosova, Shqipëria e Serbia.” Thea Decker nga Agjencia e Punës thotë, se ‘ka nevojë’. “Fjala nuk është vetëm për numrin e madh të aplikuesve, por edhe të punëdhënësve të interesuar nga Gjermania…Në rast se ata regjistrohen në agjenci dhe ajo gjen punë, atëherë aplikuesit marrin një leje pune, me opcionin e shtyrjes. Ofrohen vetëm punë me siguracione sociale, thekson Agjencia Federale e Punës.”

Sipas Agjencisë Federale “nuk bëhet fjalë vetëm për vende pune bosh në Gjermani, por edhe për t’u treguar njerëzve nga Ballkani se rruga e azilit jo vetëm kushton, por në fund nuk ia vlen, sepse nuk ka shanse për azil.”

 

 

DW/FAZ/SDD

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*