Menu

Shugurimi i Katedrales “Shën Tereza”, me mesazhe paqeje

Në 20 vjetorin e ndarjes nga jeta të Shenjtores Nëna Terezë, në Prishtinë është bërë shugurimi i Katedrales “Shën Nëna Terezë”.

katadrale

Në ritin e shugurimit kanë marrë pjesë: i deleguari i posaçëm nga Vatikani kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, personalitetet udhëheqëse të Ipeshkvisë së Kosovës, përfaqësues të institucioneve të larta të shtetit dhe të jetës politike dhe publike, besimtarë të shumtë katolikë dhe qytetarë të tjerë.

Delegati apostolik për Kosovën, Julis Janosh, ka lexuar dekretin me të cilin Papa Françesku e zgjodhi dhe e dërgoi si delegat personal të tij, kardinalin Ernest Simoni Troshani.

Ndër shenjtërit e ndritur, vend të posaçëm ka Shën Tereza e Kalkutës, e njohur nga të gjithë, pa dyshim për veprën e flijimit për njerëz të varfër dhe të dobët, duke u ndihmuar dhe i mbrojtur ata. Në nder të gjithë kësaj, në Prishtinë, është ndërtuar Shenjtërorja, e cila do të bashkojë jo vetëm besimtarët, për kremtime të liturgjisë së shenjtë, për marrjen e sakramenteve, por edhe për t’i lartësuar virtytet e saj dhe për ta ndjekur shembullin e saj”, ka lexuar letrën e Papës Françesku, i dërguari i tij Janosh. Ai ka shtuar se tempulli i Shenjtores Nëna Terezë, nga sot do ta ketë statusin e shugurimit.

Kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, e ka quajtur ditë të madhe, ditën e shugurimit të Katedrales së shenjtores Nëna Terezë.

Ajo shenja e madhe që ndritë në qiell, Nëna Terezë, një grua e thjeshtë prej vendeve tona. Është ngritur prej shpirtit të shenjtë, e mbushur me dashurinë e madhe të Krishtit, bëhet shembulli dhe pasqyra, tërheqja e miliona e miliona njerëzve në botë, për ta dashur njëri-tjetrin, për ta ndihmuar njëri-tjetrin, për të pasur dhimbje për të gjithë varfrit dhe të sëmurët e botës”, tha kardinali Ernest Simoni Troshani.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka falënderuar Kishën, duke thënë se para shumë dekadash, shqiptarët i dhanë një bijë të saj, ndërkaq, Kisha, vitin e kaluar i ktheu shqiptarëve një shenjtore, të cilës bashkëkombësit sot i kanë kushtuar një tempull.

“Thoni eminencë e nderuar Atit të Shenjtë, që ne populli i Nënë Terezës e shuguruam altarin dhe i kushtuam këtë Kishë të shenjtës tonë. Me kushtimin e kësaj shenjtërore ne nuk duam që të mburremi para popullit tonë për asgjë. Por, përvuajtërisht, dëshirojmë t’i ofrojmë të gjithë bashkëkombësve tanë një tempull-shkollë përvujtërie, bujarie, dashurie, paqeje, pajtimi dhe vëllazërimi”, ka thënë Ipeshkvi Dodë Gjergji. Ai ka shtruar se me ndërtimin dhe shugurimin e Katedrales që bartë emrin e të shenjtës Nëna Terezë, shqiptarët nuk dëshirojnë ta përvetësojnë këtë emër, por u bëjnë ftesë të gjithë popujve të rajonit dhe botës që të vijnë ta vizitojnë këtë shenjtërore dhe të miqësohen me popullin e të Shenjtës Nënës Terezë.

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*