Menu

Prehje për Europën

Salvador dhe Luisa Sobral dukeshin, ecnin, silleshin, këndonin, në atë skenën e Eurovisionit, thuajse kishin ra prej Qielli.

Salvador

Çka është kjo? A është ëndërr?

Ky duhet të ketë qenë reagimi më i sinqertë i mundshëm i secilit prej neve, kur Salvador Sobral dhe motra e tij, Luisa Sobral, që përfaqësonin Portugalinë, dolën për të kënduar këngën e tyre “Amar Pelos Dois”, në garën e sivjetme të Eurovisionit.

Te dytë dukeshin si njerëz fare të rëndomtë, në veshje, në krehje flokësh, në ecje, të cilët në një mbrëmje kishin dalë të shëtisin rrugëve dhe shesheve të ndonjë qyteti të madh europian.

Ashtu, për qejf, pa plan, pa organizim. Pastaj, teksa ecin kështu, hasin në një mikrofon të hapur në shesh, me plot njerëz përreth. Një herë hezitojnë, por pastaj i afrohen mikrofonit dhe këndojnë për dashurinë.

Kënga e tyre pëlqehet shumë nga qytetarët e bërë bashkë në një shesh, një të shtune, diku në Europë.

Pastaj, të dytë vazhdojnë të shëtisin dhe dikur kthehen në banesë a në shtëpi. E në ndërkohë, marrin vesh prej miqve të tyre që kënga e tyre është shpallur më e mira në Europën e këtij viti.

Çudi. Për ta, për ne. Për Europën.

Salvador dhe Luisa Sobral dukeshin, ecnin, silleshin, këndonin, në atë skenën e Eurovisionit, thuajse kishin ra prej Qielli. Diçka e tillë nuk ka mundur të imagjinohej dot para se të mbahej një tjetër mbrëmje e mërzitshme, e mbushur falsitet, sintetikë të çfarëdollojshme, tinguj ambicioz për tu bërë një tjetër himn i Europës.

Ndërsa kënga e tyre ishte aq e bukur, aq e thjeshtë, aq e mirë, saqë dukej si një evergreen i viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Ta merrte mendja që kjo këngë ishte zbuluar diku në ndonjë arkiv personal të autorëve dhe këngëtarëve të atyre viteve, si një këngë që kurrë nuk ishte incizuar.

Salvador dhe Luisa Sobral, pos tjerash, me ato dy tre minutat e tyre në këtë Festival, na treguan që na ka zënë, në këtë Europë, një amnezi kolektive, që është shkaktuar një herë prej synimit për t’i harruar të gjitha tragjeditë që i janë shkaktuar Botës prej këtu, prej Europës, e pastaj, prej mësymjes masive për prodhimin e pafundmë të suksesit që në radhë të parë ka si njësi matëse paranë.

Dikush këtu është i huaj. Vëlla dhe motër Sobral për këtë Europë, apo kjo Europë për ta, për këngën e tyre.

Megjithatë, ata fituan në këtë Festival. Në realitet, shumë më tepër për ne, se sa për vete. / Politiko.net

https://www.youtube.com/watch?v=tXodL-oQGws

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*