Menu

Pengë të viteve të luftës

Politika e Serbisë detyron politikën kosovare që të kthehet në vitet e luftës dhe të jetë peng e një periudhe që është dashur të tejkalohet tash e sa vjet. Editorial i Politiko’s.

Vucic

Fletarresti për Ramush Haradinajn dhe për mbi njëqind ushtarakë të UÇK’së është dëshmia më e mirë që për Serbinë, gjegjësisht për autoritetet shtetërore të Beogradit, ligjërisht dhe politikisht, lufta në Kosovë nuk ka marrë fund ende, megjithëse Beogradi zyrtar pat pranuar në qershor të vitit 1999, në Kumanovë, Marrëveshjen teknike-ushtarake me NATO’n – që kishte domethënien e kapitullimit ushtarak dhe të largimit të të gjitha forcave policore dhe ushtarake nga Kosova.

Dihet që Marrëveshja teknike-ushtarake është kodifikuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, më 10 qershor, 1999, të cilën, në realitet, Beogradi asnjëherë nuk e ka respektuar plotësisht. Ndryshe, si mund të shpjegohet që Serbia ka mbajtur anekënd Kosovës, veçanërisht në Veri, edhe pas 20 qershorit të vitit 1999 – që ishte dita e fundit e largimit të saj nga Kosova, në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës – strukturat e saj shtetërore dhe policore.

Autoritetet e Serbisë nuk kanë respektuar as verdiktet e Tribunalit të Hagës në dy raste, kur Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm në të gjitha pikat e Aktakuzës, më 2008 dhe 2012, dhe në atë të Fatmir Limajt, i cili po ashtu u lirua në vitin 2005.

Autoritetet e Serbisë, megjithëse publikisht kanë mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara në Kosovë, me seli në Hagë, dhe kanë paralajmëruar bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale, me fletarrestet e përtërira vitin e shkuar po tregojnë që ato nuk i besojnë as kësaj instance ndërkombëtare gjyqësore.

Sidoqoftë, vështirë që mund të gjendet politikan serb në Beograd, qoftë në Qeveri ose edhe në Opozitë, që beson në mundësinë që fletarrestet e shumta të Serbisë do të prodhojnë atë efektin e synuar ligjor, ose sjelljen në Serbi të Ramush Haradinajt dhe gjykimin e tij. Beogradi e di mirë që diçka e tillë nuk mund të ndodhë.

Por, këto fletarreste së pari tregojnë që Beogradi zyrtar tutje mbetet peng i të kaluarës së vet, të politikave të gabuara dhe të dështuara, të cilat madje detyruan edhe NATO’n të intervenojë ushtarakisht kundër Serbisë.

Së dyti, Qeveria e Serbisë, me këto fletarreste, dëshiron të destabilizojë sa më shumë që është e mundur politikën kosovare, e cila edhe ashtu, për shkaqe të brendshme, nuk mund të shquhet, në dy vjetët e fundit, për një qëndrueshmëri. U pa kjo edhe ditëve të fundit, kur në politikën kosovare, në reagim ndaj lajmit për ndalimin e Haradinajt në Francë, më shumë pati qërim hesapesh midis individëve dhe subjekteve të ndryshme politike, sesa gatishmëri për të parë se çka mund të bëjë Prishtina zyrtare në përballje me këtë sprovë të rëndë dhe të rrezikshme.

Së treti, s’do mend që sjellja e këtillë e Beogradit do ta dëmtojë Dialogun e Brukselit, ndërsa dëshira e Serbisë është që ndërprerja eventuale e këtyre bisedimeve të jetë pasojë e reagimeve të politikës kosovare ndaj provokimeve të saj të vazhdueshme, të cilat në rrethanat e tanishme ndërkombëtare, veçmas në Bashkimin Europian, vështirë që do të merren parasysh, e lëre më që do të sanksionohen.

Kjo politikë e Serbisë, midis tjerash, detyron politikën kosovare që të kthehet në vitet e luftës dhe në një mënyrë apo tjetrën, të jetë peng e një periudhe e cila është dashur të tejkalohet tash e sa vjet.

S’ka dyshim që politika kosovare këtë vit do të detyrohet të kthehet në vitet 1998-2000, edhe si pasojë e Aktakuzave të para të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në këtë mënyrë, e tanishmja dhe mbase edhe e ardhmja e Kosovës do të mbetet e margjinalizuar nën mësymjen e madhe të historisë dhe të luftës. / Politiko.net

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*