Menu

Kosova 2017: pa ide, në gjueti numrash e optimizmi

Kosova është në udhë pa krye dy muaj pas zgjedhjeve nacionale. Krejt jeta është kthyer në gjueti numrash të ulëseve në Kuvend. Ka madje edhe një gjueti optimizmi në këtë panair të kotësive kombëtare.

MUHAMET HAMITI

Në gjah për numrat, duket se askush nga establishmenti politik s’ka kohë për idenë e Kosovës gjatë kësaj vere të apatisë shoqërore e të paralizës politike në vend. Kah do të drejtohet Kosova që nën qeverisjen e shkuar kishte ngecur, sipas rrëzuesve të saj, të gjithëve pos LDK-së? A do të jetë vend i demokracisë nacionale, liberale, i ekonomisë së tregut, apo një vend me pushtet hibrid në dukje kombëtar, neotoman e komunist? Cilat vendime të mëdha do t’i miratonte Qeveria e arnuar numrash e PAN-it me pakicat, me AKR-në si përforcim? A do të ishin vendimet më të mëdha koncesionet ndaj serbëve që qeveria e  krahut të luftës do t’i bënte në paqe? Sepse, vështirë të besohet që  udhëheqësit e PAN-it, Veseli e Haradinaj me shokë, i kanë punë të kryer 10 votat e deputetëve serbë pa koncesione të mëdha, potencialisht të rrezikshme për substancën shqiptare të Republikës së Kosovës. A ia vlen të dëmtohen substanca dhe funksionaliteti i shtetit të Kosovës në afat të gjatë për përfitime aftashkurtra, siç është një Qeveri me jetë një, dy a trivjeçare? (Le të kujtohet këtu angazhimi i fortë i Hashim Thaçit dhe i PDK-së para tri vjetësh për vazhdim të dispozitave kushtetuese për vende të rezervuara për serbët në Kuvend, që u kundërshtua fuqishëm nga LDK-ja.) Këto janë disa nga pyetjet që kërkojnë përgjigje – pyetje që duhet t’i shtrojë elektorati shqiptar i Kosovës pa dallim përkatësie partiake.

Duke e pasur idenë e Kosovës në mendje, duke e parë se rruga aktuale çon në qorrsokak, ose thjesht në zvetënim të Republikës, është e mundshme me e ba hapin mbrapa: ose të formohet Qeveri me shumicë shqiptare (pakicat e kanë hapësirën e garantuar kushtetuese), ose të shkohet në zgjedhje të reja, duke pasur në mendje idenë. Se ideja është e para, jo numri/at.

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*