Menu

I duam gratë lidere

Burrat flasin. Burrat vendosin. Burrat janë liderët. Deri kur?

qendra e gruas mami

Flasin burrat. Merren vesh burrat. Udhëheqin burrat. Liderët.

Në fjalorin politik dhe institucional dhe jo vetëm, dëgjojmë dhjetëra herë në ditë fraza të tilla, ku flitet për burra që flasin për çështje me rëndësi, për burra që merren vesh kur ka mosmarrëveshje dhe për liderë që marrin vendime me rëndësi.
Po ku janë gratë?
A keni dëgjuar fraza të tilla se, kjo grua e guximshme dhe e ditur duhet ta udhëheq këtë institucion shtetëror, këtë ministri, këtë ndërmarrje publike apo këtë parti politike?
Sigurisht shumë rrallë. Sepse pozita e gruas në Kosovës 18 vjet pas përfundimit të luftës po përjeton një rënie të ndjeshme pas avancimit që kishte shënuar vite më parë.
Gruaja sot më shumë po shihet si dekor sesa si faktor.
Gratë kosovare kanë arritur rezultate të mëdha në secilën fushë dhe kanë dëshmuar për potencialin e tyre të madh në ndërtimin e një shoqërie të lirë e të barabartë për të gjithë. Ato janë një aset i jashtëzakonshëm që mund të japin kontributin e tyre në secilën fushë, pasi kanë dëshmuar aftësi e zotësi, potencial e kredibilitet të lartë.
Por ato janë lënë anash. Burrat flasin. Burrat vendosin. Burrat janë liderët.
Deri kur?
Pozita e gruas në Kosovë sikur mori një hov pozitiv pas luftës, kur u hapën mundësitë për qasje më të madhe në shkollim, në punë dhe përfshirje në vendimmarrje, koha kur vendi po krijonte institucionet e veta.
Ishte një periudhë shpresëdhënëse për avancimin e pozitës së gruas, kur vajzat e reja arritën të mbarojnë me sukses shkollimin në universitete prestigjioze ndërkombëtare, sikurse edhe ato që diplomuan dhe specializuan me sukses në universitetet vendore, të cilave mundi dhe angazhimi iu shpërblye me punë të dinjitetshme në institucione, kompani e organizate të ndryshme, bazuar kryekëput në arritjet e tyre personale.
Puna dhe pagat ndikuan në përmirësimin e pozitës së gruas në familje, ku shtimi i të ardhurave solli edhe një frymë të re mes çifteve dhe familjeve të tyre. Përmirësimi i gjendjes financiare ndikoi drejtpërdrejt në forcimin e rolit të gruas në shoqërinë kosovare. Kështu pati një ngritje të pozitës së gruas, e cila filloi të përfshihet edhe në vendimmarrje, në familje, institucione e shoqëri, duke e zënë, sigurisht jo në nivelin e kënaqshëm, pozitën e saj si e barabartë në shoqëri.
Por ky entuziazëm ka filluar të bie viteve të fundit, si pasojë e shumë faktorëve, e sidomos gjendjes së rëndë ekonomike nëpër të cilën po kalon vendi e cila ka prekur në masë të madhe familjet kosovare. Përkeqësimi i gjendjes materiale automatikisht ka sjellë edhe përkeqësim në raportet mes dy gjinive, ku sigurisht e atakuar mbetet sidomos gjinia femërore. Kjo pasi Kosova si shtet po përballet me një korrupsion të nivelit të lartë, nepotizëm e militantizëm partiak, i cili përditë po shkatërron fijet e fundit të shpresës për një vend meritor të gruas në shkollim apo punësim. Kjo pasi diploma më nuk paraqet arritjet personale të saj, pasi ajo është bërë subjekt i marrjes me lehtësi, përmes lidhje politike, klanore e farefisnore. Si rrjedhë edhe punësimi është bëhet i mundshëm vetëm përmes lidhjeve partiake, klanore, grupore etj.
Rastet kur gratë janë larguar nga puna viteve të fundit janë të mëdha. Ato përveç që humbin punën, mbesin edhe pa përkrahje.
Pastaj si pasojë e kësaj gjendjes, e cila ndikon automatikisht edhe në keqësimin e gjendjes financiare brenda familjes, lindin mosmarrëveshje të ndryshme, të cilat në shumë raste rezultojnë me divorce dhe mbetjes së gruas pa përkrahje. Gjendja më e rëndë mbetet për ato gra që kanë fëmijë e të cilat duhet të sigurojnë të ardhurat për mbajtjen e fëmijëve të tyre. Kur lindin problemet financiare dalin në pah dhe problemet e vjetra mes raportit të burrit dhe gruas. Kështu nis dhuna psikike e cila pastaj në shumë raste degjeneron në dhunë fizike.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në keqësimin e pozitës së gruas është ekstremizmi fetar i cila ka marrë hov viteve të fundit në Kosovë. Shumë gra janë detyruar të lënë punën dhe të kthehen në ‘rob’ të burrit dhe familjes, sipas rregullit që ndjekin familjet e përfshira në ideologjinë ekstremiste fetare.
Përveç kësaj pasojat e luftës kanë lënë gjurmë të thella te kategoria e grave që kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Ato në të shumtën e rasteve e kanë mbajtur të fshehur tmerrin që kanë përjetuar përderisa nuk kanë pasur kurrfarë përkrahje, as nga familja, as nga shteti.
Gjendja aktuale kërkon angazhim të përbashkët të gjitha grupeve aktive për sensibilizimin e opinionit për përkeqësimin e gjendjes së gruas dhe marrjen e masave përmes lobimit dhe presionit për avancimit e pozitës së saj.
Duhet të bëhemi të gjithë (jo gjitha, por të gjithë) bashkë për t’ia dhënë vendin që i takon gruas kosovare në shoqëri. Që ajo të ngritët profesionalisht e të shkollohet, të punësohet e të bëhet pjesë e vendimmarrjes në institucione, organizata e kompani, mbi bazën e punës dhe përvojës së saj dhe të mos mbetet dekor, që duhet të përfshihet vetëm aq sa të përmbushet kuota gjinore e paraparë me ligj.
“Gjellët” që përgatiten nga gratë janë shumë më të shëndetshme për familjen, shoqërinë e shtetin sesa vendimet që po ‘gatuhen’ përditë nga një armatë burrash jokompetent që kanë zënë vendet e tyre në vendimmarrje.

Qendra e Gruas Mami

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*