Menu

Nëntë ‘agjentët e huaj’ të Rusisë

Ministria ruse e Drejtësisë shpalli të martën "agjentë të huaj" nëntë media amerikane, përfshirë Zërin e Amerikës.

Putin

Ministria ruse e Drejtësisë shpalli të martën “agjentë të huaj” nëntë media amerikane, përfshirë Zërin e Amerikës.

Ministria po ashtu radhiti në listë Radion Evropa e Lirë/Radio Liria dhe disa nga partnerët e saj, pasi paralajmëroi muajin e kaluar se ato mund të prekeshin.

Presidenti i Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, Tom Kent, tha përmes një deklarate se Ministria ruse e Drejtësisë ka lënë të kuptohet se përcaktimi i ri ka për t’u shoqëruar me “kufizime” të reja ndaj punës së kompanisë mediatike në Rusi.

Ai shtoi se “natyra e plotë e këtyre kufizimeve nuk dihet”, por u zotua se rrjeti mbetet “i përkushtuar për ta vazhduar punën gazetareske. Në interesin e dhënies së lajmeve të sakta dhe objekte për audiencën rusisht-folëse.”

Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi në nëntor ligjin që i jep autoritet qeverisë t’i shpallë mediat që financohen nga jashtë si “agjentë të huaj” dhe të vendosë sanksione ndaj tyre.

Zyrtarët rusë e cilësuan ligjin e ri si një “përgjigje simetrike” ndaj asaj që ata e përshkruajnë trysni amerikane ndaj medias ruse. Më 13 nëntor, kanali televiziv i financuar nga shteti rus, RT, u regjistrua në Shtetet e Bashkuara në bazë të ligjit dhjetëra vjeçar për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).

Ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, tha se FARA synon nxitjen e transparencës, por nuk kufizon veprimtarinë e rrjetit televiziv në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti amerikan i shtetit e dënoi ligjin rus, duke thënë se ai pengon lirinë e shtypit. “Legjislacioni i ri rus që i lejon ministrisë së Drejtësisë t’i përcaktojë mediat si “agjentë të huaj”, dhe të mbikqyrë apo të bllokojë aktivitete të caktuara në internet, paraqet një tjetër kërcënim për mediat e lira në Rusi.”- tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert në një deklaratë muajin e kaluar. /VOA/

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*