Menu

Marshi i Popullizmit

Duket që kemi hyrë në fazën kur politika e moderuar do të mund të dorëzohet krejtësisht para popullizmit, i cili realisht, nuk është interes i shtetit të Kosovës.

blerim shala

Duket që kemi hyrë në fazën kur politika e moderuar do të mund të dorëzohet krejtësisht para popullizmit, i cili realisht, nuk është interes i shtetit të Kosovës.

Politika kosovare tash e katër vite ka tendenca të popullizmit dhe të braktisjes së një modeli të politikës së moderuar, e cila ka qenë në fuqi këndejpari, qysh nga ato ditët e para të krijimit të skenës pluraliste politike, në dimrin e viteve 1989/1990.

Ka të ngjarë që ne tashmë kemi hyrë në fazën më problematike kur politika e moderuar do të dorëzohet krejtësisht para popullizmit politik, i cili realisht, nuk është aspak interes i shtetit të Kosovës, i raporteve të këtij shteti me Perëndimin, i sigurimit të një qëndrueshmërie afatgjatë të këtij shteti në Botë, i përfundimit të dialogut politik me Beogradin, gjithnjë duke synuar që Marrëveshja eventuale për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të nënkuptojë njohjen formale në mes të këtyre dy shteteve.

Popullizmi politik në Kosovë ka shumë burime të veta, të cilat janë mbledhur pak nga pak këndejpari, që nga dita e parë e ekzistimit të shtetit të Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008.

Si gjithkund tjetër në Botë, në radhë të parë, popullizmi është pasojë e mungesës së stabilitetit politik të brendshëm, i cili shkaktohet nga problemet sociale dhe ekonomike, apo, siç jemi dëshmitarë viteve të fundit në Perëndim, edhe nga deficiti dhe lodhja e partive tradicionale të qendrës (së majtë dhe të djathtë), në raport ne mësymjet radikale të shtyra nga kriza e refugjatëve.

Në rastin e Kosovës, stabiliteti pak a shumë i qëndrueshëm politik, u godit rëndë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014-të. Që prej atëherë, kemi tensione të vazhdueshme politike, të cilat përcjellin thuaja çdo ditë të lume politikën kosovare dhe dalin në shesh në trajtimin e çdo teme të veçantë politike.

Në këtë kontekst, s’do mend që ka ndodhë një lloj i ‘bashkimit’ të Kosovës dhe Shqipërisë. Politika shqiptare është një: Në të këqijat e saja.

Në anën tjetër, ka edhe shkaqe objektive të fuqizimit të popullizmit politik në Kosovë, të cilat nuk janë ‘prodhim vendor’, por që kanë pasoja evidente në mënyrën se si funksionon politika kosovare.

Shkaku i parë, madhor në këtë aspekt  (që më pas lidhet edhe me atë të dytin, siç do të shihet pak më vonë), është që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk është përmbyllur me një Marrëveshje që do t’i jepte fund një armiqësie të gjatë në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Vetë fakti që mbi njëzet vjet po bisedohet me Beogradin pa mbërritë atë rezultatin final, është burim i problemeve të shumta politike në Kosovë.

Në anën tjetër, politika zyrtare e Serbisë, edhe pse ‘bën be’ që dëshiron ta bëjë Marrëveshjen me Kosovën, me qasjen e saj agresive dhe nacionaliste, nuk ka si mos të reflektohet në zhvillimet politike në Kosovë.

Nuk ka dyshim që lidershipi serb në Beograd qëllimisht dëshiron të provokojë një radikalizim dhe popullizëm politik në Kosovë, sepse kjo udhëheqësi mund të jetë përfituese e këtij ndryshimi të drejtimit politik në Kosovë.

Shkaku i dytë që shtynë politikën kosovare kah popullizmi, vjen nga Brukseli, nga BE-ja, gjë që u konfirmua edhe ditëve të fundit, me lajmet e këqija që kanë të bëjnë me të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar pa viza në Evropë.

BE-ja dhe autoritetet e Kosovës e kanë pasë, siç mund të thuhet shumë sakt, një Kontratë prej 95 pikash  (apo kriteresh), e cila ka pasë këtë domethënie: Kur Kosova i përmbushë të gjitha këto pika, atëherë, qytetarët e saj do të udhëtojnë pa viza në Zonën e Schengenit.

Siç është konfirmuar nga zyrtarët më të lartë të BE-së, tash e sa muaj, ne i kemi dalë zot kësaj Kontrate, por ja që për shkaqe të brendshme  (pasojave të popullizmit në Evropë), ne do të sanksionohemi me shtyrjen edhe për një kohë të zbatimit të një drejte të cilën e kemi fituar me meritë.

Siç kemi parë të gjithë së bashku  (gjë që edhe ka mundur lehtë të pritet), kjo sjellje e BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës, ka shkaktuar një mori deklaratash dhe komentesh nga politikanët e vendit, ku tonet populliste janë të pashmangshme, thjeshtë, sepse nuk ka shpjegim dhe as justifikim racional të Brukselit pse po ndëshkohet i gjithë një popull, për shkak të problemeve të brendshme që i ka Evropa sot.

Qytetarët e Kosovës nuk e kanë merituar këtë ndëshkim.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*