Menu

‘Luftë’ euros

Paketa kundër valutës, çfarë po përgatit Banka e Shqipërisë.

100 euro

Ulja e përdorimit të euros në ekonomi e rekomanduar edhe nga FMN, jo vetëm që pritet të nxitë ekonominë, por dhe të forcojë qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Banka e Shqipërisë miratoi një paketë masash ligjore, të cilat synojnë të ulin përdorimin e euros në ekonominë shqiptare. Paketa rrit kostot për bankat nëse ato pranojnë depozita në euro ose japin kredi në këtë monedhë. Sipas Guvernatorit, këto masa do të ulin rreziqet për ekonominë.

“Këto ndryshime, hyjnë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti”, sqaroi Sejko. Ulja e përdorimit të euros në ekonomi është rekomanduar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si dhe agjencia e vlerësimit “Standard and Poors”. Sipas tyre, kjo masë nxit ekonominë dhe forcon qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Dokumenti

Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë ka miratuar dokumentin “Mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare që rregullohen e mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë”, që synon një angazhim që Banka ka ndërmarrë qysh vitin e kaluar për deeuroizimin e ekonomisë. Guvernatori i BSH-së Genti Sejko tha se, kjo nismë, e njohur edhe si paketa e deeuroizimit është përcaktuar tashmë si një synim mbarëkombëtar, përmes nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në prill të vitit të kaluar. Ky memorandum formalizon dakordësinë për përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara, në nivel kombëtar, midis tri institucioneve: Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. “Banka e Shqipërisë vlerëson se procesi i deeuroizimit është i nevojshëm dhe dobiprurës në afatin e gjatë, si për përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare ashtu edhe për uljen e rreziqeve të stabilitetit financiar. Studimet dhe analizat tona evidentojnë se përdorimi i valutave të huaja në sferën e aktivitetit të brendshëm ekonomik financiar është në një shkallë relativisht të lartë. Ky fenomen lidhet si me përdorimin e lartë të valutave në transaksionet tregtare, ashtu edhe me përdorimin e lartë të tyre si mjet kursimi, në formën e depozitave bankare apo edhe si mjet financimi, në trajtën e kredimarrjes në valutë”, -tha Sejko. Guvernatori sqaroi se, Banka e Shqipërisë nuk synon uljen në zero të përdorimit të valutave në veprimtarinë financiare, por uljen e euroizimit në nivele të pranueshme për ekonomi me strukturë dhe madhësi të ngjashme.

“Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme (pra, më pak të preferuar) veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve (veçanërisht të atyre individë dhe të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit) për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Këto ndryshime, hyjnë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti”, sqaroi Sejko.

Fenomeni

Dukuria e përdorimit të monedhave të huaja në sistemin financiar, në sektorin bankar dhe në ekonominë shqiptare është e hershme. Mes disa faktorëve, kjo dukuri reflekton edhe nivelin e lartë të tregtisë dhe të shkëmbimeve financiare me vendet e Eurozonës, në mënyrë të ngjashme me vende të tjera të rajonit. Niveli i lartë i përdorimit të monedhave të huaja në sektorin bankar, shoqërohet me efekte negative te kanalet e transmetimit të politikës monetare dhe rrit rreziqet për stabilitetin financiar. Sipas rregullores përkatëse të BSH “Në këto kushte dhe në funksion të zbatimit me efektivitet të këtyre politikave, është e nevojshme të pakësohen këto ndikime të padëshiruara, duke nxitur përdorimin më të lartë të monedhës vendase në transaksionet financiare dhe në ekonominë reale”. Kreditë e pambrojtura ndaj kursit të këmbimit vijojnë të përbëjnë peshë të konsiderueshme të portofolit të kredive për sektorin privat. Borxhi publik ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit, ku kontributin kryesor e ka dhënë rritja e borxhit në valutë. Mbështetur në këto të dhëna, mund të thuhet se sistemi financiar shqiptar paraqet nivele të larta të euroizimit, që reflektojnë përdorimin e valutës në shkallë të gjerë në ekonominë shqiptare. Në këto kushte, marrja e masave për të kontrolluar dhe ulur këto nivele, në mënyrë graduale është e nevojshme. Lufta për uljen e nivelit të valutave në qarkullim në ekonominë shqiptare ka nisur që vitin e kaluar. Ajo u materializua si fillim me një memorandumit bashkëpunimi mes Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Edhe në atë dokument theksohej se “kjo dukuri përfaqëson një burim potencial rreziku për stabilitetin financiar të vendit, një pengesë për efektivitetin e plotë të politikës monetare dhe të asaj fiskale, dhe si rezultat edhe për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit në afat më të gjatë”.

Shifrat

Sipas të dhënave të Bankës, gjatë pesë viteve të fundit, vlera e depozitave në valutë është rritur me 25%, ndërsa vlera e depozitave në lekë u rrit me 8%. Në fund të tremujorit të tretë të vitit 2017, rezultonte që në stokun e depozitave bankare, depozitat në valutë të sektorit privat zinin 53.5% të depozitave të përgjithshme. Në depozitat e sektorit privat, depozitat e individëve zënë rreth 87% të vlerës. Krahasuar me fundin e vitit 2015 rritja për individët dhe për bizneset është ndikuar kryesisht nga depozitat në valutë pa afat, të cilat janë rritur me 38% për individët dhe 39% për bizneset. Sa i takon shpërndarjes së depozitave sipas 12 qarqeve të vendit, qarku i Tiranës zotëron rreth 45% të totalit të depozitave të sektorit bankar. Ndërkohë, raporti i depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave sipas qarkut, është mbi 50% për 3 nga 12 qarqet e vendit: Vlora me 56.2%, Tirana me 56%, dhe Gjirokastra me 50.3%. Sa u takon kredive në fund të tremujorit të tretë të vitit 2017 në stokun e tyre mbizotërojnë kreditë për biznes , ku pjesa më e madhe e tyre mbetet në valutë. Por në tërësi, gjatë pesë viteve të fundit vërehet një prirje në rritje e peshës së kredive në monedhën vendase dhe rënie e peshës së kredisë në valutë. Sipas të dhënave të BSH tek bizneset, rreth 25% e portofolit të kredive janë kredi në valutë e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Një tregues tjetër i euroizimit të ekonomisë është edhe raporti në borxhin publik. Rritja e vlerës së borxhit publik në 4-5 vitet e fundit është ndikuar kryesisht nga rritja e vlerës së borxhit të jashtëm, në valutë. Rritja graduale e borxhit të jashtëm, e ka çuar atë në nivelin 49% të totalit të borxhit të Qeverisë.

Masat

Në Memorandumin ndërinstitucional është caktuar si objektiv krijimi i kushtet dhe stimujve për të ndikuar gradualisht e në mënyrë të qëndrueshme në zvogëlimin e shkallës së përdorimit të monedhave të huaja. Veprimet që do të ndërmerren janë së pari, veprime të politikës fiskale dhe përmirësime të tjera ligjore, të cilat synojnë ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, uljen e informalitetit në ekonomi; së dyti, veprimet e politikës monetare dhe ato mbikëqyrëse mbi bankat dhe institucionet e tjera financiare, për rritjen e shkallës së përdorimit të lekut në sistemin financiar; së treti, bashkëpunimi me palët e treta që ndikojnë në zbatimin e masave të deeuroizimit. Ndërkohë në vendimin e miratuar dje për zgjerimin e përdorimit të lekut në ekonomi thuhet se zgjerimi i përdorimit të monedhës kombëtare te subjektet, do të përcaktohet nga aftësia e autoriteteve për të siguruar: besimin e publikut në monedhën kombëtare, zhvillimin e tregut financiar dhe bashkëpunimin dhe harmonizimin e veprimeve.

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*