Menu

Kosova pa Interpol

Duket që Kosova nuk ka gjasa të bëhet anëtare e Interpolit. Me gjasë, sivjet Kosova nuk do të hyjë as në UNESCO. Sa për statusin e shtetit kandidat për në BE, diçka e tillë aktualisht është e pamundur.

Kosova

Gjasat që shteti i Kosovës të bëhet pjesë përbërëse e Interpolit, në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate që do të mbahet në vjeshtë në Beijin të Kinës, janë kurrfare – bazuar në burimet diplomatike perëndimore në Prishtinë.

Instancat më të larta të Interpolit – Sekretari i tij, gjermani Jurgen Stock – janë detyruar në muajt e kaluar t’i përgatisin kriteret që duhet t’i plotësojnë shtetet pretendente për t’u anëtarësuar në këtë organizatë shumë të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare.

Kosova dhe Palestina janë dy shtete që synojnë të anëtarësohen në Interpol.

Këto kritere u janë bërë të ditura pak javë më parë shteteve të interesuara për të qenë pjesë përbërëse e Interpolit.

Kriteri kyç dhe aspak i volitshëm për të hyrë në Interpol është ai sipas të cilit – një shtet mund të pranohet në Interpol, nëse është anëtar i OKB’së, ose së paku nëse ka statusin e shtetit vëzhgues në OKB. Palestina që nga viti 2012 e plotëson këtë pjesën e dytë të këtij kriteri kyç të Interpolit, sepse ka statusin e vëzhguesit në OKB, ndërsa Kosova, për shkaqe të njohura, nuk ka mundur të përgatisë as aplikacionin për anëtarësim në OKB. Dihet që Federata e Rusisë në atë rast do ta përdorte të drejtën e vetos që e ka si shtet anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB’së.

Derisa është miratuar ky kriter, Interpoli, njëlloj si UNESCO, ka vendosur për aplikacionet konkrete të shteteve për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, me dy të tretat e votës së shteteve anëtare që kanë marrë pjesë në votim. Ky parim hapte udhë për aplikacionin e Kosovës për t’u bërë pjesë e Interpolit, sepse dihet që Kosova deri tash është njohur nga 114 shtete anëtare të OKB’së, ndërsa në këtë rast llogaritej që edhe shtetet tjera që nuk kanë njohur Kosovën, nuk do të kenë gjë kundër që të hapen dyert për pranimin e Kosovës, kur dihet që Interpol është një organizatë profesionale, dhe kur kihet parasysh fakti që Policia e Kosovës llogaritet si njëra prej më të mirave në rajon.

Por, me miratimin e këtij kriteri të ri nga ana e instancave më të larta të Interpolit, aktualisht janë shuar shpresat që Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në Interpol.

Ndryshe, nuk duket që Kosova ka gjasa më të mira për të hyrë në UNESCO, në Asamblenë e Përgjithshme që mbahet sivjet. Dihet që UNESCO në këtë forum mblidhet një herë në dy vjet. Herën e kaluar, Kosova për katër vota nuk ia doli që të bëhet pjesë e UNESCO’s. Në UNESCO nuk ka ndodhur farë ndryshimi i kritereve, ose, njëlloj si më parë, një shtet pranohet në këtë organizatë nëse merr votat e dy të tretave të shteteve që votojnë.

Megjithatë, kësaj here duket që janë problemet e brendshme politike të vendit që do të pamundësojnë që Kosova të bëjë një tjetër përpjekje për të hyrë në UNESCO. Tash e gati dy muaj Kosova nuk ka Qeveri të mirëfilltë, ndërsa nuk dihet se kur mund të pritet formimi i saj, duke ditur që akoma as rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk janë certifikuar. Pa një Qeveri të njëmendtë në detyrë, nuk mund të ketë organizim të duhur të Ministritë së Jashtme dhe të vetë Zyrës së Kryeministrit për të bërë një lobim të suksesshëm anekënd botës për të mbështetur aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

Sa i përket statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE, burimet diplomatike perëndimore kanë thënë për Politiko.net që së pari Kosova duhet ta zbatojë në plotëni Marrëveshjen e Stabilizim/ Asociimit dhe pastaj kjo çështje do të jetë në varshmëri të faktit çka do të bëjnë pesë shtetet e BE’së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Pa fituar njohjen e Spanjës, Greqisë, Sllovakisë, Rumanisë dhe Qipros, Kosova nuk mund të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE. / Politiko.net

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*