Menu

Detyrat e Kryeministrit të Ri

Kushdo që bëhet Kryeministër i Kosovës, sipas diplomatëve perëndimorë, atë e pret një listë detyrimesh të pashmangshme, që prej ditës së parë.

Qeveria

Burimet diplomatike perëndimore në Prishtinë kanë thënë për Politiko.net që ambasadat kryesore perëndimore në Kosovë nuk e kanë ndërmend të përzihen qyshdoqoftë në procesin e krijimit të Qeverisë së Kosovës në vijim të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Në fakt, do të mbetet në fuqi qëndrimi kategorik i verës së vitit 2014, kur ambasadat e shteteve të QUNIT’it u duruan deri në fund të krizës së atëhershme politike, që u kualifikua asokohe si “ngërçi politik”, duke mos bërë ndonjë hap në drejtim të favorizimit të njërës apo tjetrës palë -   në atë kohë, ato ishin PDK dhe VLAN – për ta bërë Qeverinë e Kosovës.

Natyrisht, ambasadorët perëndimorë të asaj kohe mbështetën dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat konfirmuan legalitetin e ndërmarrjes së themelimit të Qeverisë së re.

Një diplomat perëndimor, me kushte të anonimitetit, ka thënë për Politiko.net që për Washingtonin, Brukselin dhe Berlinin, me rëndësi është që zgjedhjet kanë qenë të rregullta, dhe që rezultatet e tyre nuk janë vënë në dyshim prej askujt nga pjesëmarrësit në to.

Matematika e numrave të mandateve të fituara në Kuvendin e Kosovës, sipas këtij diplomati, imponon bisedime midis partive / koalicioneve që i kanë ndarë 100 mandatet që i takojnë komunitetit shumicë (shqiptarëve), ndërsa 20 deputetët që janë shpërndarë midis komuniteteve pakicë, me siguri do t’i bashkohen entitetit politik shqiptar që do t’i ketë 41 e më shumë deputetë.

“Kush me kë dhe pse bën koalicion, kjo nuk është çështja e jonë, por e vetë politikanëve shqiptarë”, ka deklaruar ky diplomat.

Megjithatë, për të gjitha ambasadat relevante në Kosovë është e rëndësisë sipërore çka do të bëjë Qeveria e re e Kosovës, apo a do ta respektojë në plotëni një agjendë të dakorduar tash e disa vjet, në realitet që prej se është shpallur shteti i Kosovës, e cila ka rendësi të madhe për vetë autoritetet vendore, qytetarët dhe për kryeqytetet perëndimore.

Kështu, sipas këtij diplomati, kushdo që do ta marrë detyrën shumë të rëndë të Kryeministrit të Kosovës, ai duhet ta dijë që mbi tavolinën e punës e pret një listë detyrimesh që nuk mund të shmangen dot, që prej ditës së parë të punës së Qeverisë së re të Kosovës e tutje.

Në këtë listë gjithsesi janë edhe obligimet vijuese:

- Përmbyllja e Marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, ose Ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje, pa të cilën nuk mund të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Këtu shtohet që dërgimi eventual i kësaj Marrëveshjeje në një arbitrazh ndërkombëtar, nuk do të mundësojë fitimin e të drejtës për të udhëtuar pa viza në Evropë.

- Vazhdimi i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, dhe inicimi i procesit të krijimit të Asociacionit / Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë. Në këtë çështje theksohet që Asociacioni / Bashkësia do të formohet në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës, Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit, 2015, dhe Marrëveshjes së Parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të 19 prillit, 2013.

- Bashkëpunimin e plotë me Gjykatën Speciale në Hagë.

- Zbatimin e MSA’së.

- Bashkëpunimin e mirë fqinjësor me të gjitha shtetet fqinje.

- Luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, etj.etj.

Qeveria e re e Kosovës, sipas burimeve diplomatike perëndimore në Prishtinë, duhet ta dijë që koha e fushatës parazgjedhore, por edhe e viteve që u mbizotëruan nga përplasjet politike të të gjitha llojeve, ku u përdor edhe dhuna, kanë marrë fund.

Të gjitha këto detyra dhe shumë të tjera që i takojnë interesit të qytetarëve të Kosovës, duhet të jenë prioritet absolut i Kryeministrit të Kosovës dhe kabinetit të tij. / Politiko.net

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*