Menu

Despotizmi është kudo rrotull nesh

Paralajmërimet e Montesquieu dolën të verteta: Despotizmi është kudo rrotull nesh.

chained-hands-300x300

Siç u shpalosën ngjarjet pas vdekjes së tij, vlerësimet e Montesquieu për prirjen e vazhdueshme të Europës drejt despotizmit rezultuan të vërteta. Askush që i hedh qoftë edhe një sy historisë, nuk mund të mohojë nevojën për mësimet që Montesquieu përpiqet të ofrojë te Fryma e Ligjeve – se nuk ka fitore përfundimtare mbi despotizmin, dhe se Perëndimi, gjithashtu, mbetet i prirur…

Nga Vickie B. Sullivan

 

Është e zakonshme për qytetarët e vendeve liberale, demokratike që të besojnë se despotizmi është i huaj për eksperiencën e tyre. Kushtetutat e tyre politike shfaqin, në një formë a një tjetër, një ndarje të pushteteve, e cila ka për qëllim specifik moslejimin e grumbullimit të pushtetit arbitrar dhe të papërgjegjshëm, në cilindo funksion të qeverisë. Nga ana tjetër, despotizmi është një formë ekstreme sundimi që përqendron pushtetin arbitrar dhe që mund të shtrihet në të gjitha fushat e jetës. Me barriera kushtetuese dhe ligjore, qytetarët e shoqërive liberale mund të besojnë se viktimizimi në duart e despotëve është një eksperiencë që u rezervohet njerëzve më të pafat. Megjithëkëtë, ligjet ndalojnë ngacmimin seksual dhe dhunën, edhe pse zbulimet e fundit na kujtojnë efikasitetin e kufizuar të barrierave ligjore që janë thjesht në letër.

Nëse pengesat ligjore ndonjëherë nuk na mbrojnë nga despotë në miniaturë, atëherë despotizmi politik nuk është aq i largët sa mendon shumëkush. Montesquieu, filozof francez i shekullit të 18-të, që futi termin ‘despotizëm’ në fjalorin tonë politik, nuk do të habitej në ndarjen, midis lirisë së supozuar të shoqërisë sonë dhe përvojës që kanë shumë njerëz, si viktima të pushtetit të papërgjegjshëm brenda saj. Te “Fryma e ligjeve” (1748), ai tregon se despotizmi është një rrezik gjithnjë i pranishëm dhe një kërcënim i vazhdueshëm për njerëzimin, që lulëzon kudo dhe gjithmonë. Edhe ata me fat që jetojnë jashtë kufijve të një qeverie despotike, sërish mund të viktimizohen nga praktikat despotike. Në përgjigje, Montesquieu mëson se zhbërja e despotizmit duhet të mbetet një përpjekje qendrore në jetën shoqërore dhe politike.

Për aq sa kujtohet sot, Montesquieu besohet të jetë frymëzimi për teorinë e ndarjes së pushteteve, ato barriera kushtetuese ndaj despotizmit që mund të na bëjnë, paradoksalisht, të vetëkënaqur për lirinë tonë. Hartuesit e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, në fakt, e quajtën atë ‘orakull’ të ndarjes së pushteteve kur morën prej mësimeve të tij politike. Megjithatë, reflektimi mbi shkrimet e tij zbulon se despotizmi është një fenomen shumë më i përhapur, sesa mund të besojnë individët në të ashtuquajturat shoqëri të arsimuara dhe të lira. Gjatë gjithë Frymës së Ligjeve, ai tregon se despotizmi qëndron në thelbin e mentalitetit europian. Aspektet e spikatura të traditave fetare dhe filozofike inkurajojnë përqendrimin e pushtetit, si dhe ashpërsinë që mund të shpjerë shumë kollaj, në dhunë despotike. Me këtë presion të vazhdueshëm kundërbalancues, rregullimet kushtetuese, sado kritike që janë, nuk mund të frenojnë të vetme këtë fenomen.

Përshkrimi i hapur që Montesquieu i bën despotizmit duket se hedh poshtë pretendimin se Europa e përmban despotizmin. Në fund të fundit, ai merr nga historia e Azisë dhe Lindjes së Mesme për të përshkruar despotët e perandorive të mëdha, ato figura të neveritshme të cilat, edhe pse të magjepsura nga kënaqësitë private, thithin të gjitha pushtetet te shteti. Një pushtet i tillë shumë i madh, lejon shfrytëzimin e të sunduarve, në një mënyrë që shkakton dhunë, fizike dhe psikologjike, mbi viktimat. Duke vepruar kështu, ai u mohon individëve mundësi për zhvillim dhe i zhvesh ata nga dinjiteti njerëzor. Tmerron të gjithë ata që mund ta kundërshtojnë, pasi është shpesh vrastar dhe shtypës. Si rezultat i këtij përkufizimi, Montesquieu iu duket shumë nga lexuesve të sotëm si një orientalist, e prapëseprapë një tjetër intelektual europian, i cili i nënvlerëson shoqëritë e huaja, për të lëvduar arritjet e Perëndimit në një proces që në fund të fundit justifikon kolonializmin. Por ky është një lexim sipërfaqësor i një mendimtari dhe shkrimtari të thellë. Ishte praktikë e zakonshme mbrojtëse për intelektualët e kohës së tij, që të përdornin vende ekzotike, për të kritikuar shoqëritë e tyre.

Pjesa më e madhe e kritikës së Montesquieu për despotizmin, në fakt, përbën një kritikë ndaj Europës. Montesquieu e sheh Europën – në dukje të butë dhe të krishterë – si vend i disa nga praktikave më brutale despotike. Përkundër fokusit të tij të dukshëm në despotizmin e Lindjes, ai gjithashtu arrin të nënvizojë praktikat despotike të institucioneve të nderuara europiane: Kishës Katolike dhe Monarkisë Franceze. Ai e nxjerr zbuluar despotizmin e inkuizitorëve portugezë, të cilët djegin të gjallë një vajzë adoleshente për praktikimin e judaizmit të prindërve të saj, e madje edhe të atdheut të vet, i cili ekzekuton për tradhti ata që thjesht qortojnë ministrin e monarkut. Ai në këtë mënyrë, nxjerr në pah mizorinë e Europës, në një kohë kur shprehja e një kritike të tillë ishte ende tejet e rrezikshme.

Montesquieu merr qëndrim më të fortë kundër dënimeve mizore, duke deklaruar se ‘njohuria’ e mënyrës së saktë për të proceduar në ‘gjykimet kriminale’ është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në botë. Liria, pohon ai, është një ndjenjë e sigurisë, me të cilën bie ndesh kërcënimi i ndëshkimit arbitrar. Ndihmësi i tij, Cesare Beccaria, vazhdoi të udhëheqë reformën liberale të së drejtës penale dhe ndëshkimit në Europë në fund të shekullit të 18-të. Por ky liberalizim duhej të vazhdonte kundër rrymës – kundër ideve të nderuara europiane, të cilat sipas analizës së Montesquieu ishin despotike. Në të vërtetë, aq të rëndësishme janë idetë në pikëpamjen e Montesquieu, saqë ai i quajti disa filozofë si “ligjvënës”. Jo vetëm që këta ligjvënës filozofë aspirojnë veten për të gjetur utopi, por mendimet e tyre, në fakt, mund të ndikojnë në praktika reale. Në analizën e Montesquieu, disa prej ideve despotike të Europës burojnë nga burimet më të lartësuara, që nga shkrimet e Platonit dhe Aristotelit dhe mësimet e Kishës, për shembull. Ndonëse këto burime konsiderohen që nxisin virtytet, pra përpiqen të bëjnë qeniet njerëzore më të mira, në veprën e tij ai nxjerr zbuluar mungesën e moderimit, deri edhe mizorinë, e ideve që mund të gjenden në vëllimet e vjetra dhe të vlerësuara, në raftet e pluhurosura. Montesquieu vë theksin në doktrinat e dëmshme të Platonit, që skllevërit nuk kanë të drejtë të vetëmbrohen, se magjistratët duhet të jenë absolutë, dhe se ndëshkimet duhet të jenë të shpeshtë dhe të rëndë. Po kështu, mësimet e Aristotelit bëjnë thirrje për praktike despotike, duke u mbështetur shumë në virtytet e princërve për vetëpërmbajtje të domosdoshme, dhe duke përgojuar praktikën e marrjes së interesit për huat, që është në fakt jetëshpëtuese për tregtinë mes kombeve. Mësimet e Aristotelit ndihmojnë për të dëmtuar tregtinë që, sipas Montesquieu, nxit butësinë e cila nga ana e vet ruan jetën duke iu kundërvënë virtyteve luftëdashëse dhe dyshimit agresiv ndaj të huajve. Ai vëren gjithashtu se si Kisha nxjerr një ligj shumë më të kushtueshëm, që buron nga Romakët e lashtë, i cili barazon tradhtinë me herezinë. Si rezultat i tij, Kisha dhe autoritetet vrasin shumë të ashtuquajtur heretikë.

Siç u shpalosën ngjarjet pas vdekjes së tij, vlerësimi i Montesquieu për prirjen e vazhdueshme të Europës drejt despotizmit rezultuan të vërtetë. Askush që i hedh qoftë edhe një sy historisë, nuk mund të mohojë nevojën për mësimet që Montesquieu përpiqet të ofrojë te Fryma e Ligjeve – se nuk ka fitore përfundimtare mbi despotizmin, dhe se Perëndimi, gjithashtu, mbetet i prirur. Në fakt, është një rrezik i gjithëkohshëm ndaj njerëzimit. Liria, tregon Montesquieu, kërkon vëzhgimin konstant të praktikave dhe ideve qeverisëse, sado të shenjta që të jenë ato. Idetë despotike mund të ndërfuten brenda ideve tona më të pëlqyera, e madje edhe në brendësi të zemrave tona./Aeon – Bota.al

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*