Menu

‘Bota është euraziatike’

Çfarë e përcakton këtë botë të re?

Screen-Shot-2018-05-14-at-08.58.39

Ish Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane i Portugalisë dhe autor i libritThe Dawn of Eurasia, Bruno Maçães, flet për ngritjen e Azisë dhe pasojat për Europën.

Ju po parashikoni se Europa në të ardhmen do të shikojë nga Azia. Pse?

Gjatë 500 viteve të fundit, Europa e ka parë veten si qendra e botës. Edhe kur u ndërtua komuniteti transatlantik, sërish shikohej si një pjesë e traditës politike europiane, e vlerave europiane, që qenë përqafuar përgjatë Atlantikut. Teza ime është se po arrijmë një pikë ku idesë së eksepsionalizmit europian – se ne kemi mëtuar modernizëm, shoqëri moderne e teknologji moderne dhe pjesa tjetër e botës jo – po i vjen fundi. Mendoj se Kina është prova. Po hyjmë në një botë që thelbësisht është bipolare. Nga njëra anë është Perëndimi ose tradita politike europiane dhe në anën tjetër është Azia, që të paktën është njëlloj e fuqishme. Kjo do të thotë se kemi dy pole: një europiano – amerikan dhe një aziatik. Balanca, kombinimi midis të dyve, është ajo çka përkufizon epokën tonë, jo më marrëdhënia midis Europës dhe Amerikës. Teza ime nuk është se komunitet transatlantik do të zhduket, por se bota jonë sot nuk është më perëndimore, është euraziatike.

Ky është një vëzhgim i bazuar shumë në determinizmin gjeografik?

Është i bazuar mbi fakte të ndryshme. Më të natyrshmet janë infrastruktura dhe kapitalizmi global, që po krijojnë lidhje midis Europës, Perëndimit dhe Azisë që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë. Gjatë epokës perandorake këto nuk ekzistonin për shkak se të dyja anët qenë në një marrëdhënie tërësisht të pabalancuar kolonializmi dhe imperializmi: Disa vende në Azi u bënë europianë, disa të tjera u bënë cepa të largët të injoruar nga çdokush dhe Azia u zhduk nga historia për disa qindra vjet. As në shekullin e XX-të këto lidhje nuk ekzistonin. Me kishim Perden e Hekurt dhe Perden e Bambusë dhe ishte aktualisht e pamundur ta mendojë Eurazinë si një hapësirë të unifikuar. Tani jemi në një kohë që ndoshta po e kthen botën prapa tek Xhengiz Khani, megjithëse duket se është një botë krejtësisht e re, me variabla të rinj. 

Pekini i referohet shumë Rrugës së Mëndafshit mesjetare, sidomos me Belt and Road Initiative e ri të tij…

…që në mënyrën e konceptuar sot nuk ka ekzistuar kurrë. Është një shpikje romantike e shekullit të XIX-të, askush nuk e ka përshkruar të gjithë distancën nga Europa në Paqësor me përjashtimin e njohur të Marco Polo dhe pak të tjerëve. Ka pasur shumë pak tregëti dhe ajo që ishte duhej të kalonte nëpër hallkat e pambarimta e një zinxhiri të gjatë. Kështu që nuk duhet të kemi asnjë iluzion. Kur njerëzit nisën të ëndërronin rreth një Eurazie të integruar, shpikën Rrugën e Mëndafshit. Kur ndërtojmë një botë të re, gjithmonë projektojmë se se bota e re fillon në të kaluarën për t’i gjetur ndonjë themel. Megjithatë, ata shpesh janë imagjinarë sesa realë.

Çfarë e përcakton këtë botë të re?

Intensiteti i tregëtisë, rëndësia e ekonomisë kineze dhe infrastruktura që është ndërtuar. Përkundër këtij sfondi, konkurenca nga Kina është bërë gjithnjë e më shumë rëndësishme – kjo është pika numër një. Pika numër dy, çështja ruse. Rusia po e braktis Europën. Ndoshta për herë të parë në historinë e saj, kështu më duket mua, ajo po e braktis tërësisht Europën…

… disa në Europa mund të kenë dyshime lidhur me këtë, sidomos në Ukrainë.

Ndërhyrja në Ukrainë qe ndoshta gjesti i fundit i një Rusie që dëshironte të qëndronte në Europë. Megjithatë, krahaso ndërhyrjen në Ukrainë, e cila qe katastrofë, me atë çka njeriut duhet ta njohë si suksesin e ndërhyrjes në Siri. Përshtypja ime nga bisedat e mëparshme është se kjo do ta forcojë idenë e autoriteteve ruse se Rusia duhet të kthehet nga lindja: nga Lindje të Mesme që të konsolidojë kontrollin e saj e energjisë, nga Kina dhe nga Azia Juglindore e Japonia. Gjithashtu – dhe ndoshta më e rëndësishmja: Ne duhet të përballemi tani me një botë me integrim të thellë, por pa konvergjencë. Kjo botë është shumë e rrezikshme. Dhe na ka kapur të gjithëve në befasi sepse gjithmonë mendonim që bota ishte bërë më e integruar, teksa vendet në pjesën tjetër të botës u lidhën me Perëndimin, ata do të konvergjonin me ne. Dhe suprizë – ajo çka ndodhur është se janë përballur me Perëndimin në termat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, por nuk janë konvergjuar. Kështu që tani, në shekullin e XXI-të, ne kemi integrim të thellë me modele të ndryshme, kurse Kina vazhdon që t’i duket e suksesshme për shumë vende të botës.

A nuk është Kina akoma e injektuar me mendimin perëndimor, anipse duke pasur parasysh që Partia Komuniste është në pushtet? Apo është në fakt një mënyrë e ndryshme të menduari, një lloj i ndryshëm kulture, një lloj i ndryshëm konceptimi i botës?

Është një lloj shumë i ndryshëm konceptimi i botës, ama është një konceptim modern i bazuar tek teknologjia, ndryshimi social, tek tentativa për ta transformuar në mënyrë konstante të ardhmen. Por, sidoqoftë, është një lloj i ndryshëm modernizmi nga i yni. Diferenca më e qartë është një përkufizim i caktuar i kolektivit, që është i pranishëm kudo. Është i pranishëm edhe në teknologjinë e re që ata po zhvillojnë. Nëqoftëse krahasoni Facebook me WeChat, një diferencë e dukshme është se WeChat është më kolektiv; në një pikë të caktuar, nuk arrini bile as të dalloni se kush po thotë çfarë, ndërsa Facebook ka profile me foto dhe individë perëndimorë. Me WeChat kemi një fluks mendimi, askush nuk e di se nga po vjen. Kështu që mendoj se do të shikojmë lloje të ndryshme teknologjie të frymëzuara nga një kulturë e ndryshme, nga një traditë e ndryshme. Do të jetë ndryshe. Politikisht, Kina është akoma një mister për shumë prej nesh. Nuk mendoj se është një vend ku njerëzit gëzojnë shumë liri individuale, mos të jemi naivë në këtë drejtim. Ama, nga ana tjetër, mendoj se bëjmë gabim nëqoftëse thjesht ia projektojmë imazhet tona perëndimore të autoritarizmit apo diktaturës Kinës. Është një realitet ndryshe dhe duhet shumë kohë nga ana jonë që ta kuptojmë. Thjesht jemi në fillim.

Në Perëndim dikur mendonim se një shoqëri si Kina realisht nuk është kreative. A mendoni se kinezët e kanë tejkaluar këtë koncept duke qenë një shoqëri jo e lirë, por njëherazi kreative?

Ajo kineze është një shoqëri ku ka zona në të cilat nuk mund të futeni, gjëra për të cilat nuk mund të flisni. Por në zonat ku mund të flisni ekziston një shkëmbim mjaft intensiv ideshë. Qasja kreative është i kanalizuar në një drejtim të caktuar nga shoqëria dhe shteti. Por në këto kanale, konkurrenca dhe debati inkurajohen. Kështu që është shumë ndryshe nga Perëndimi, por nuk është gjithashtu as modeli jonë për një shoqëri autoritare. Ata kanë një prirje të caktuar për shkeljen e rregullave, sidomos kur vjen puna në sferën ekonomike. Ne në Perëndim jemi marrosur pas rregullave dhe një ideje të caktuar perfeksionizmi. Kështu që nëqoftëse ndërtoni diçka, ajo duhet të jetë në përputhje me 200 rregulla, ne e çojmë çdo gjë në ekstrem. Kinezët lëvizin më shpejt dhe i marrin parasysh rreziqet. Thjesht duhet të jetë të vetëdijshëm për këtë dhe të përpiqemi të mësojmë se çfarë duan.

Çfarë do të thotë kjo për Europën?

Kjo e lë Europën në një pozicion mjaft delikat. Mendoj se do të ndjejmë gjithnjë e më shumë presion të ardhur nga Kina e nga Rusia dhe aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara nuk është ajo që ishte dikur. Sigurisht, Europa ka akoma resurse të mëdha pasurie, kreativiteti, dijesh, por ajo duhet që të përfshihet gjithnjë e më shumë me pjesën tjetër të botës dhe sidomos me Azinë. Europa duhet ta ushtrojë forcën e saj më shumë. Asaj i duhet që të përkufizojë se çfarë do dhe çfarë nuk do nga Kina e nga Rusia. Duhet të zgjedhë betejat e saj. Në fund, Europa duhet të mendohet gjithnjë e më shumë rreth asaj se çfarë po ndodh në Lindje sesa po ndodh tani. Jam shumë skeptik rreth harxhimit të 10 viteve të ardhshme duke u fokusuar në ndërtimin e Shteteve të Bashkuara të Europës, pasi mendoj që në 10 vitet e ardhshme duhet të fokusohemi të paktën pjesërisht në atë që po ndodh në Lindje.

A nuk do të ishte Europa në një pozicion më të mirë sikur të ishte më e bashkuar dhe thellësisht më e integruar?

Mendoj se tashmë i kemi resurset e nevojshme, thjesht nuk po përdoren. Na nevojitet të kemi më shumë politikë të jashtme europiane, por tashmë i kemi strukturat institucionale për një gjë të tillë. Është më shumë një problem vetëdijeje dhe të qënit në gjendje për ta ushtruar forcën tonë. Mendoj edhe se sikur të ishim tejet të përqëndruar tek vetja, kjo gjo gjë do të ishte shpërqëndruese.

Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ka thënë kohët e fundit se fuqia e vetme e madhe për momentin që ka një strategji të madhe gjeopolitike është Kina, kurse Shtetet e Bashkuara duket se e kanë humbur të tyre dhe ne europianët realisht nuk e zhvilluam kurrë një strategji tonën.

Ky është një vëzhgim i mençur. Mendoj se Kina ka pasur një vit shumë të keq nga pikëpamja e politikës së jashtme të saj; ka bërë një mal me gabime. Dyshoj bile se mos ka qenë edhe më keq se viti që patën Shtetet e Bashkuara. Për aq sa Kina është e preokupuar, ne kemi krijuar këtë imazh të gjithçkaje që është misterioze. Kjo do të thotë se u kemi dhënë shumë peshë gjërave që nuk i kuptojmë. Por gjithashtu mbeta i goditur nga fakti që Gabriel nuk tha asgjë rreth faktit sesi duhet të ishte strategjia. Qe pabesueshmërisht bosh në këtë aspekt. Kështu që, sërish, kemi fillimin e një nuhatjeje se diçka e rëndësishme po ndodh dhe marrëdhënia jonë me Kinën do të jetë një marrëdhënie mjaft e trazuar dhe mjaft intensive. Por akoma nuk ka ide aspak të qarta rreth asaj se çfarë duhet bërë.

Përgjigja është të angazhohesh, të bësh përpjekje të mëdha drejt Lindjes dhe të riorientosh mendimin tonë dhe vëmendjen tonë?

Po. Kthimi drejt këtyre pyetjeve gjithnjë e më shumë, në një shpirt që është gjysmë bashkëpunim dhe gjysmë konkurrencë. Mendoj se është gjithashtu pjesë e një bote të re euraziatike. Është gjithmonë një hibrid midis bashkëpunimit e konkurrencës nga njëra anë dhe konfliktit e konkurrencës nga ana tjetër. Edhe gjërat që na bëjnë bashkë – interneti, flukset e informacionit, emigracioni – edhe këto gjëra mund të bëhen armë. Mendoj se kjo është bota ku jetojmë tani. Gjysmë konkurrencë, gjysmë bashkëpunim.

(nga Harvard International Review)Bota.al

 

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*