Menu

Beqaj: Demarkacioni ishte lojë politike

Beqaj thotë se demarkacioni ishte lojë politike për ardhje ose ruajtje të pushtetit.

beqaj

Opinionisti Behlul Beqaj thotë se demarkacioni ka qenë lojë politike për ardhje ose për qëndrim në pushtet.

Në Express Intervistë, profesori i Shkencave Politike ka thënë se koalicioni qeverisës po luan ping-pong me shumë tema të rëndësishme vetëm që të fitojë poenë politikë, apo të mos marrë përgjegjësi për gabimet.

“Mendoj se çështja e demarkacionit nuk është kuptuar si çështje teknike, por ka qenë politike. Ka qenë argument për ardhje ose për të mbajtur pushtetin”, ka thënë Beqaj.

Sipas Beqajt, nuk ka logjikë shkarkimi i komisionit të qeverisë së shkuar për caktimin e kufirit me Malin e Zi dhe që më pas versioni i atij komisioni të shkojë për votim në Kuvend.

Beqaj ka ftuar që të ketë një konsensus teknik mes dy komisioneve, atij të Murat Mehës që u shkarkua nga kryeministri Ramush Haradinaj, dhe atij të Shpejtim Bulliqit që mori detyrën më pas. Ka thënë se pasi të arrihet një konsensus teknik, politika le të bëjë çfarë të dojë. Përndryshe, sipas tij, nuk do të ketë zgjidhje të çështjes së demarkacionit edhe për një kohë të gjatë.

Beqaj po ashtu ka thënë se dikush nga kjo qeveri duhet të shkojë në burg, nëse tash imponohet votimi i versionit të komisionit të shkuar. Kjo sepse, sipas tij, ata kanë bllokuar për shumë vjet lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Nëse imponohet komisioni i Mehës, dhe ka gjasë sepse Evropa i ka kriteret e veta, atëherë duhet t’i respektojmë ose duhet të rrimë larg tyre, kjo qeveri duhet të japë përgjegjësi, ose disa prej tyre të shkojnë edhe në burg. Me faj të tyre ka pasur bllokadë. Nëse insistohet në raportin e Bulliqit, që është shumë pak e mundshme sepse ka pak vota dhe është edhe qëndrimi i Malit të Zi që ka ratifikuar marrëveshjen, si dhe kemi edhe qëndrimin e SHBA-së se versioni i Mehës është i saktë, do të bëjmë një mik në armik dhe bashkësinë ndërkombëtare në krye me Amerikën armiq”, ka thënë ai.

Sa i përket çështjes së flamurit “Te Rrethi”, Beqaj ka thënë se është debat i parëndësishëm dhe i rrezikshëm.

“Kemi dështuar të përmbushim temat tona substanciale dhe po merremi me flamurin, kur e dimë se popullata e Kosovës është me papunësinë më të madhe në regjion. E dimë që jemi shpallë si shtet me korrupsionin më të lartë e prapë merremi me flamurin. Merremi me flamurin, kur e dimë që kemi probleme me arsim e shëndetësi. Të gjitha këto po i lëmë e po merremi me flamurin. Kjo çështje nuk e minimalizon, nuk e ashpërson, as s’e keqëson rëndësinë që ka flamuri i shtetit. Shqiptarët e kanë flamurin kombëtar. Ata e kanë krijuar edhe flamurin shtetëror që duhet ta respektojmë. Mund të bëhen edhe referendume për ndryshim e të tjera, por ne e kemi ndërtuar këtë shtet dhe duhet ta respektojmë”, ka thënë Beqaj.

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*