Menu

Barcelona, nga qielli në ferr

Barcelona, pas përmbysjes historike kundër PSG në Champions, ka pësuar një humbje në fushën e Deportivo La Coruna, duke rrezikuar edhe më shumë garën për titull në La Liga.

Barca-1-653x380

Barcelona, pas përmbysjes historike të arritur në mesjavë kundër PSG në Champions, ka pësuar një humbje befasuese në fushën e Deportivo La Coruna, që ka fituar pasditen e sotme me rezultatin 2-1.

Një fitore që i mungonte bardhebluve që nga viti 2008-të. Mungesa e Neymar, arkitekti i fitores së jashtëzakonshme të arritur kundër francezëve, është ndier shumë dhe humbja e sotme mund t’i ketë kushtuar titullin Messi-t me shokë, të cilët mbeten dy pikë larg Real Madrid, por madrilenët do të presin Betis në shtëpi mbrëmjen e sotme dhe duhet të rikuperojë një ndeshje kundër Celta Vigos.

Rasti i parë i rrezikshëm është krijuar nga vendasit në minutën e 40 dhe është shfrytëzuar në mënyrën e duhur nga Deportivo që ka zhbllokuar takimin me Joselu-n, i cili ka përfituar nga një gafë e portierit të Barçës. Por reagimi i katalanasve ka ardhur një minutë pas fillimit të pjesës së dytë, teksa Luis Suarez ka barazuar ndeshjen me një goditje të shpejtë dhe të saktë brenda zonës së rreptësisë.

Në minutën e 64-t ka qenë një tjetër Suarez (Denis) që ka shkuar afër përmbysjes së rezultatit, por gjuajtja e tij është ndalur nga portieri Lux. Bardheblutë janë kundërpërgjigjur me Joselu në të 74-ën me një goditje të bukur me kokë, por ter Stegen ka arritur ta devijojë në goditje nga këndi. Pikërisht nga kjo goditje standarde ka ardhur edhe goli i dytë i vendasve, të cilët janë kthyer në avantazh me Bergantinos.

Edhe ky gol ka ardhur nga një tjetër goditje nga këndi, por këtë herë portieri i miqve nuk ka pasur faj, teksa goditja e lojtarit të Deportivos ka qenë e pakapshme. Barça ka pasur rastin për të barazuar dhjetë minuta para fundit të takimit, por Luis Suarez ka gabuar në mënyrë të pashpjegueshme, duke ia lehtësuar punën portierit Lux që ka kontrolluar pa probleme topin. Duket se energjitë e shumta të shpenzuara për fitoren historike të arritur në Champions ka lënë pasoja te skuadra katalanase, që ka pësuar humbjen e tretë në këtë kampionat.

 

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*