Menu

Artmotion deponon kallëzim penal ndaj Kryetarit të KPM-së

Kompania Artmotion, përmes ekspertëve ligjorë të angazhuar, ka deponuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) një kallëzim penal ndaj Kryetarit të Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM), Muja Ferati, për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Artmotion

Gjithçka filloi kur kanali Arena Sport, që është një nga mbi 180 kanalet që ofron Artmotion, nisi të transmetojë lojërat e Ligës së Kampionëve dhe Europa Ligës. KPM-ja kishte kërkuar nga Artmotion që të deponojë pranë institucionit marrëveshjet që Arena Sport ka për ritransmetimin e këtyre eventeve sportive. Artmotion kishte deponuar në KPM marrëveshjet dhe konfirmimet të cilat dëshmonin se gjithçka është krahas legjislacioneve dhe praktikave ndërkombëtare, pjesë e të cilave është edhe Kosova dhe KPM-ja. Kjo është një procedurë rutinore e KPM-së dhe deri në këtë pikë gjithçka kishte shkuar sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi.

Mirëpo, ky fakt nuk i pëlqente Muja Feratit, i cili tashmë kishte marrë një mision që ta dëmtonte Artmotion, duke e (keq)përdorur pozitën e tij zyrtare dhe institucionin ku ai është përgjegjës në cilësinë e kryetarit.

Duke ushtruar ndikimin e tij, Ferati kishte kërkuar nga zyrtarët e KPM-së që të kontaktojnë direkt me kompaninë TEAM Marketing, e cila i shet të drejtat e UEFA-së, për ta rikonfirmuar këtë fakt. Pas disa ditësh kishte arritur konfirmimi nga kompania TEAM Marketing ku ceket që Arena Sport i ka të drejtat për territorin e Republikës së Kosovës, krahas kompanive Kujtesa dhe RTS.

Këtu fillon dhe ndikimi direkt i politikës i nisur nga deputeti Nait Hasani, i cili në mënyrë arbitrare dhe tinëzake – pa marrë aprovimin e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media – e nxjerr një vendim kur urdhëron KPM-në që t’ia ndërpresë Artmotion transmetimin e eventeve të UEFA-së dhe njëkohësisht të kontaktojnë prapë me UEFA-në dhe ta sqarojnë situatën.

Nait Hasani nuk kishte marrë aprovim nga deputetët e tjerë që janë pjesë e Komisionit Parlamentar (ky fakt u bë i ditur publikisht nga deputetët tjerë të cilët kërkuan nga Nait Hasani që të sqarohet për këtë vendim). Për më tepër, ai kishte lëshuar një vendim të paprotokolluar nga Kuvendi, duke i shkelur të gjitha rregulloret e punës.

Kryetari Muja Ferati, pasi që e kishte marrë këtë vendim të jashtëligjshëm nga deputeti Hasani, kishte nxjerrë një vendim tjetër të jashtëligjshëm dhe kishte kërkuar nga Artmotion që ta ndërpresë ritransmetimin e këtyre eventeve sportive deri në sqarim të situatës nga UEFA-ja (edhe pse kjo ishte sqaruar një herë).

Artmotion kishte angazhuar një zyrë ligjore me seli në Washington, në mënyrë që t’i mbronte interesat e saja dhe të drejtën si në Republikën e Kosovës, ashtu edhe ndërkombëtarisht. E njëjta zyre kishte dërguar një letër ku e njoftonte Muja Feratin dhe Komisionin Parlamentar për shkeljet e Ligjit mbi KPM-në, shkeljen e udhëzimeve të ndryshme administrative dhe, mbi të gjitha, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Muja Ferati me vendime te jashtëligjshme dhe arbitrare gjatë gjithë kësaj kohe i kishte shkelur tashmë disa herë ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, Bordi i Ankesave pranë KPM-së, kishte rrëzuar vendimin e Muja Feratit si “joligjor” dhe “jomeritor”, duke i dhënë të drejtë Artmotion për të vazhduar ritransmetimin.

Artmotion, duke parë ndikimin e madh politik që është bëre me këtë rast, që është iniciuar nga individë të ndryshëm që e konsiderojnë veten mbi ligjin, ka filluar me deponimin e kallëzimeve penale – fillimisht ndaj Muja Feratit për shkelje të ligjit, kurse në ditët në vijim edhe ndaj individëve të tjerë të cilët për qëllime të caktuara përfitimi po e cenojnë lirinë e mediave, pikërisht duke e keqpërdorur institucionin i cili do të duhej t’i mbronte ato.

KPM-ja, me këtë ndërhyrje ka krijuar një precedent dhe ka shkaktuar një klimë të rrezikshme të të bërit biznes për të gjithë operatorët ekonomikë të cilët paguajnë taksa në Republikën e Kosovës, ndonëse deri më sot i ka mbyllur sytë ndaj shumë keqpërdorimeve që janë bërë me vite të tëra nga kompani të ndryshme.

Artmotion është e vendosur që këtë çështje ta dërgojë deri në fund, duke i adresuar këto ndërhyrje në instancat më të larta vendimmarrëse, si në Kosovë ashtu edhe pranë rregullatorëve evropianë, të cilët e dinë dhe e vlerësojnë rolin e mediave të lira.

Letra nga SHBA-ja dhe faqja e parë e kallëzimit penal

Kallezimi penal – Artmotion

Kallezimi penal – Artmotion

Artikuj Te Ndryshem

Fjala Jote

Dergo Pergjigjen

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*